Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha sot se katër nxënëse të një shkolle në Fushë-Krujë janë paraqitur në spital me simptoma helmimi, duke hedhur dyshimet se ngjarja kishte ndodhdur për shkak të konsumimit të hashashit. Noka tha se 4 vajza të klasës së VII janë dërguar në një qendër shëndetësore për mjekim.
“Unë jam deputet që e mirëkuptoj kryeministrin për fjalët përshesh e kazan se kur ishte në Francë hante përshesh në kazanët e Parisit, sot nuk ishte koha kur të hante.
Në Fushë-Krujë, nxënësit e një shkolle, unë nuk qesh se unë jam gati që të qaj për ata fëmijë, katër vajza të klasës së VIII u transportuan në qendër shëndetësore se u ndez një tym aty, ai ishte tym dhe ka dyshime që u konsumua hashash në shkollë. Në vend që të shqetësohet për këtë Rama, vjen e bën dokrra”, tha Noka.
Ndërsa Rama u përgjigj me ironi se Noka flet për hashashin, se nuk ka lidhje me arsmin.
“Flamur mos u merr me ndërhyrjet... Ti ke detyrën të tundesh mbi kanabis, se nuk ke lidhje me sistemin universitar, kështu që vazhdo tund flamurin, valëvitu mbi kanabis. Valëvitu mbi kanabis, dhe mos u merr me çështje të tjera, dhe as nuk t’i kanë ngarkuar ty dhe as nuk i mban dot mbi kurriz. Tundu mbi kanabis dhe e vetmja gjë që mund të bësh është që kuotat e universiteteve përktheji në tonelata kanabis dhe vazhdo punën të hash dhe ti përsheshin tënd, përshesh i madh. Kujdes se po ju shtohen njerëzit që hanë përsheshin tuaj, kështu që luftoni fort, të meritoni lugën e Saliut se nuk ka lugë për të gjithë”, tha Rama.



