
Duke folur në MCN Live analisti Erlis Çela e konsideroi si dramatike situatën brenda kampit opozitar. Çela theksoi se grupimi Alibeaj nuk mund të pretendojë se ka legjitimitetin e PD në një kohë kur nuk del dot me kandidatë në të gjitha bashkitë.
Çela foli për një "kaos dhe kakofoni" sa i takon zërave brenda PD-së, ku disa janë të rreshtuar me Berishën, të tjerë me Bashën, apo edhe kundër të dyve.
Sipas analistit zgjedhësit i jepet mesazhi që kjo opozitë që është copë-copë për vete, e përçarë, nuk mund të përfaqësojë njerëzit.
Besoj që jemi në një situatë dramatike për sa i përket opozitës. U bënë dy vjet që është kjo situatë në atë kamp politik. E çuditshmja është që ende vazhdohet me një lloj qëndrimi që s’është politik, është diçka apolitike. Nuk mund të pretendosh legjitimitet dhe të mos e zotërosh legjitimitetin dhe në këtë pikë e kam direkt me z.Alibeaj dhe me pjesën e tij që përfaqëson në PD. Mu duk absurd vendimi për kandidatët. Diskutimi ishte absurd, a duhet të dalim me kandidat në çdo bashki, apo t’ia lëmë primareve, ndërkohë që primaret s’i njohim! Prisja që gjithë ky aksion politik, kjo përplasje dy vite, meqë Alibeaj pretendon legjitimitetin duhet të dilte me kandidatë në çdo bashki dhe listë të plotë këshilltarësh, ndryshe s’ka kuptim.
Ata po shënojnë një pikë në historinë e asaj partie që do gjykohet për sa kohë të jenë ata në skenën politike. Unë inatin e kam me këta që lëkunden sa andej këtej. Këta persona nuk meritojnë fare të jenë aty. Këta duhet të caktojnë linjën e tyre politike. Kanë dy vjet që rrinë në hije, s’dalin në asnjë studio, nuk shkojnë te baza, dhe thjesht presin nga do anojë peshorja. Kjo tregon çfarë profili deputetësh kemi ne në Parlament. Është e qartë historia e kandidatëve. Nëse Kryesia s’ka qenë e qartë si do dalë në këto zgjedhje, çfarë do bëjë kandidati. Ai merr një mesazh që kjo PD vet s’është e qartë, pse duhet të sakrifikohet secili prej tyre. Këta të tjerët pretendojnë se është një pjesë në PD që është anti-Berishiste. Problemi është se këta i lanë njerëzit pa përfaqësuar, s’kanë kredon politike dhe guximin për t’i përfaqësuar. Ti e ke partinë dhe s’e ushtron aktivitetin partiak! Çfarë mesazhi është ky?!
Sjellja e z.Lika dhe deputetëve të tjerë është një sjellje normale politike. Sepse nuk mund të qëndrojnë larg bazës në këto momente pavarësisht si shkoi situata në PD. Por tregon kaosin në PD, një deputet del dhe bën fushatë për kandidatin e primareve, një tjetër nuk del fare në bazë, një tjetër flet vetëm nëpër studio, një tjetër s’flet as në studio as në bazë, s’është as me Berishën as me Bashën. Kjo tregon kakofoninë e madhe që është midis zërave aty. Problemi është që zgjedhësit i jepet mesazhi që kjo opozitë që është copë-copë për vete, e përçarë, që ka dy vjet që s’e gjen rrugën, nuk mund të përfaqësojë njerëzit. Kjo është një avantazh që zgjedhjet janë me karakter lokal. PD s’i mjaftojnë militantët për të ardhur në pushtet, as votat e 2021-shit, duhet të shkojë përtej kësaj. Situata në PD s’është aspak e favorshme”
Çela tha se Berisha nuk mund të mundet si lider i PD pa hyrë në zgjedhje të brendshme.
Unë mendoj se konflikti në PD nuk do zgjidhet në 15 maj. Do hapet një histori tjetër. Do ketë skenar të gatshëm. Palët i kanë bërë gati fjalimet që tani dhe ajo që do thonë do jetë fajësimi i njëri-tjetrit. Rezultati i këtyre zgjedhjeve do ketë një ndikim te të dyja palët. Por historia e Berishës në PD nuk mbyllet para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kanë vetëm një mënyrë për ta mundur Berishën, do ta mundin në terren, në zgjedhje. Si do t’ia marrësh partinë?! Këto makinacionet që do t’i bëjnë presion ndërkombëtarët, nuk pijnë ujë. Ke vetëm një rrugë për ta mundur, të hysh në zgjedhjet e brendshme të partisë. Nuk shoh ndonjë magji, apo as nën mëngë se si mund ta largojnë. Si duan këta ta marrin partinë? Këta duan ta marrin partinë duke ndenjur te kafja mbrapa Kuvendit, te zyrat e reja?! Nuk merret ashtu partia. Ke pasur mundësinë dy vjet që të shkosh te çdo demokrat dhe t’u thuash që Berisha s’është e ardhmja e PD. Unë mendoj se këta të gjithë do shkojnë te Saliu në 15 maj. Këta po presion një arsye, sepse e shohin që nga pala tjetër s’ka frymë. Berisha s’ka zgjidhje tjetër veç të bashkëpunojë me Metën. Ai ishte i dënuar të bashkëpunonte me Metën në këto zgjedhje.
Çela tha se e sheh lidershipin e Parisë Demokratike përtej Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.
Unë e shoh lidershipin e PD përtej Bashës dhe Berishës. Basha ka vuajtur këto kohë ngaqë s’ka kontakt me bazën. S’ka zgjedhur të përballet me Berishën. Fakti është që ai s’mund të rikthehet më në bazë. Mendoj se në PD ka njerëz që mund ta udhëheqin atë parti shumë herë më mirë se sa e ka udhëhequr Berisha, qoftë edhe Basha. Këta do kishin fituar më shumë nëse do t’i kishin ndarë rrugët formalisht. Mendoj që në disa bashki do ketë garë reale, për shkak të kandidatëve dhe problematikave që ka krijuar qeverisja monopartiake të PS. Nëse humb qendrat e mëdha nuk përfaqëson 80 apo 70 për qind të popullsisë. Shoh garë reale për Durrësin. Mendoj që ka potencial. Por edhe në Elbasan z.Boçi ka potencial. Në Tiranë mendoj që është shumë vështirë për t’u kthyer.



