Një aksident i rëndë është shënuar pasditen e sotme në Qafë Thanë, në dalje të qytetit të Përrenjasit.
Një autobus është përplasur me një makinë, duke bërë që automjeti të përfundojë në flakë.
Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur 5 persona, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Policia njoftoi zyrtarisht se:
Rreth orës 16:20, në aksin rrugor Qafë Thanë- Përrenjas, autobusi që drejtohej nga shtetasi I. A., 51 vjeç, me drejtim lëvizjeje Pogradec- Prrenjas, është përplasur me automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi I. M., 28 vjeç, me drejtim lëvizjeje nga Përrenjasi në drejtim të Pogradecit.
Si pasojë e aksidentit automjeti tip “Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore.
Gjithashtu, janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtohej nga shtetasi I. A.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan dhe grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.



