Personat në foton e mësipërme janë Gëzim Çela, i njohur ndryshe si “Baroni i drogës” dhe Dritan Metaj, shef i Komisariatit të Policisë Laç. Çela është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit “Flakë në det”, gjatë të cilit forcat blu këtë të hënë i rrethuan banesën dhe lokalin në Fushë-Kuqe të Kurbinit.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamed Rrumbullaku, Gëzim Çela, Arben Dalipaj, dhe Roland Guza, ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Burimet bëjnë të ditur se Çelaj është i njohur si “bosi i trafikut të drogës” që vinte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore. Në vitin 2015, Çela akuzohej për trafik ndërkombëtar kokaine. Në vilën e tij në Fushë Kuqe u gjet një sasi prej 18 kg kokainë.
Ndërkohë, mes trafikantëve ka dalë zbuluar edhe shefi i komisariatit Laç, Dritan Metaj. Sipas burimeve, ai është zbuluar nëpërmjet bisedave telefonike. Në kuadër të megaoperacionit “Flakë në det”, i cili nisi në gusht të këtij viti, janë arrestuar fillimisht katër shqiptarë dhe dy ukrainas.
Gjatë operacionit sekuestruan një sasi prej 23 kg lënde narkotike e dyshuar kanabis, e gjetur në det, në afërsi të vendit ku u fundos veliera e djegur dhe një mjet lundrues gomone, bashkë me GPS.



