
Një përplasje verbale është regjistruar në sallën e Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) mes Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi gjatë seancës gjyqësore ndaj tyre.
Sipas burimeve nga seanca, Meta mohoi çdo ndikim apo përfshirje në çështjet që lidhen me persona të përmendur në dosje, duke deklaruar se nuk ka pasur komunikime apo mesazhe që lidhen me ta.
“Nuk ekziston asnjë lloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi”, mësohet të ketë deklaruar Meta.
Deklaratat e tij kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të Kryemadhit, e cila i ka kundërshtuar me tone të ashpra, duke i cilësuar si thashetheme.
“Boll, se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”, është shprehur ajo.
Pavarësisht ndërhyrjes së trupës gjykuese për të qetësuar situatën, Kryemadhi ka vijuar replikat.
“Kam katër vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh”, ka deklaruar ajo.
Pas tensioneve, gjykata paralajmëroi Kryemadhin se, nëse do të vijonte me të njëjtën sjellje, mund të përjashtohej nga seanca dhe të ndëshkohej me gjobë.



