Një ditë pasi u ankuan te Presidenti i Republikës, përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Trafikut Ajror kanë shprehur edhe publikisht mospajtimin e tyre me uljen e pagës në masën 60 për qind. Sipas tyre, ky vendim ndikon drejtpërsëdrejti në punën si kontrollor të trafikut ajror, duke cenuar rëndë edhe sigurinë e aeroportit.
Sipas Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Trafikut Ajror, vendimi i datës 24 prill 2020 i Këshillit Mbikëqyrës të Albcontrol është realizuar pa asnjë proces konsultimi me ta, pavarësisht bashkëpunimit që ka kërkuar sindikata me drejtuesit e shoqërisë për të dakordësuar një marrëveshje.
Nga ana tjetër, Albcontrol ka vendosur rishikimin e pagave bazuar mbi grafikun e reduktuar të fluturimeve për shkak të pandemisë dhe kufizimeve që kanë aplikuar shumë vende në lëvizjet e transportit ajror.



