Tajfuni Shanshan përmbyti pjesë të mëdha të Japonisë me shi të rrëmbyeshëm të premten, duke shkaktuar paralajmërime për përmbytje dhe rrëshqitje të dheut qindra milje nga qendra e stuhisë, duke ndaluar shërbimet e udhëtimit dhe duke mbyllur prodhimin në fabrikat kryesore.
Stuhia e cila sipas autoriteteve mund të jetë më e forta që ka goditur ndonjëherë rajonin, mbërriti në rajonin jugperëndimor të Kyushu, të enjten.
Të paktën tre persona janë vrarë dhe 78 janë plagosur në incidentet e lidhura me stuhinë ditët e fundit, sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive.
Duke sjellë erëra deri në 50 metra në sekondë ose 180 km në orë, stuhia ndaloi qarkullimin e automjeteve. Rreth 125,000 familje në shtatë prefektura ishin pa energji në Kyushu.
Autoritetet këshillojnë banorët të jenë gati për t’u evakuuar, teksa janë lëshuar paralajëmrime për më shumë se 4 milionë njerëz në të gjithë vendin, kryesisht në zonën e goditur rëndë Kyushu, por deri në kryeqytetin Tokio dhe Yokohama aty pranë.
Fabrikat e prodhimit të makinave dhe të elektronikës kanë pezulluar përkohësisht prodhimin. Linjat ajrore kanë njoftuar anulimin e qindra fluturimeve të brendshme dhe disa ndërkombëtare.
Shumë shërbime tragetesh dhe hekurudhore, përfshirë trenin midis Tokios dhe qytetit qendror të Nagoya, u pezulluan të premten në mëngjes.



