Komuniteti bektashi do të njihet njësoj si komunitetet e tjera fetare në Kosovë. Projektligji për Liritë Fetare, i parashikuar për t’u prezantuar në Kuvendin e Kosovës të premten, e ka detyruar kryegjyshin botëror Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, të udhëtojë drejt Prishtinës, për të biseduar me Komisionin për të Drejtat e Njeriut. Për RTV 21 në Kosovë, Brahimaj është shprehur se ka marrë konfimimin për njohjen e komunitetit bektashi.
“Është gabim nga mosnjohja e mirë e bektashizmit në fenë islame. Kemi marrë mbështetjen se do të realizohet regjistrimi ynë si komunitet”, thotë ai.
Në draftin aktual, projektligji nuk e njeh komunitetin bektashi të Kosovës. Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ku ky ligj ka kaluar fillimisht, thonë se shkak është bërë mungesa e informacionit për këtë komunitet. Ndërkohë, për amendimin e tij duhet mbështetja edhe e Listës Serbe.



