Forcat e udhëhequra nga Rusia kanë mbërritur në Kazakistan me kërkesë të liderit autoritar të vendit, në mes të protestave antiqeveritare.
Ministria e Brendshme tha se 18 oficerë sigurie u vranë gjatë trazirave, të shkaktuara nga një rritje e çmimit të karburantit.
OKB, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna.
Më shumë se 3,000 njerëz janë arrestuar, tha ministria e brendshme. Sipas mediave lokale, në të gjithë vendin janë ngritur 70 postblloqe.

Në një deklaratë të premten, presidenti Kassym-Jomart Tokayev tha se "rendi kushtetues [ishte] rivendosur kryesisht në të gjitha rajonet e vendit" dhe se "autoritetet lokale [ishin] në kontroll të situatës".
Presidenti i cili ka fajësuar "terroristët" të trajnuar nga të huajt për trazirat pa dhënë dëshmi, tha se operacionet do të vazhdojnë derisa "militantët të eliminohen plotësisht".
Ndërsa protestat u përshkallëzuan, Presidenti Tokayev i bëri thirrje Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) të udhëhequr nga Rusia për mbështetje. Blloku përfshin Rusinë, Kazakistanin, Bjellorusinë, Taxhikistanin dhe Armeninë.
Forcat e huaja thuhet se dërguan rreth 2,500 ushtarë në Kazakistan. CSTO thotë se trupat janë një forcë paqeruajtëse dhe do të mbrojnë instalimet shtetërore dhe ushtarake. Ata do të qëndrojnë në vend për disa ditë ose javë, raporton agjencia ruse e lajmeve RIA.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se po monitoronte nga afër dislokimin e trupave ruse. "Shtetet e Bashkuara dhe bota do të vëzhgojnë për çdo shkelje të të drejtave të njeriut," tha një zëdhënës.



