Ekspertët shpjegojnë se arsyeja e zvarritjes së shlyerjes të detyrimeve si pagesat e invaliditetit është pikërisht situata e vështirë financiare me të cilën po përballet vetë qeveria. Kriza në buxhet sipas ekspertit të ekonomisë Pano Soko nuk është diçka e re, por ka penalizuar kategoritë e ndryshme në nevojë. Soko shprehet skeptik sa i përket edhe rritjes ekonomike në masën 4% për vitin e ardhshëm.
Pano Soko, ekspert ekonomie: “Që ekonomia është në ditë krize, këtë s’e besoj se po them ndonjë gjë të re, sepse ka disa vjet që është në ditë krize. Që këtu nuk ka politika nxitëse për sa I përket pjesë së zhvillimit të ekonomisë, edhe me këtë nuk themi ndonjë gjë të re, sepse ka vite që nuk ka politika nxitëse. Rritja politike për këtë, nuk do t’i tejkalojë, madje unë besoj se do të jetë edhe më regresive sesa rritja ekonomike e 2019-ës duke marrë parasysh edhe efektet e tërmetit. Znj. Denaj ia kanë dhënë treguesit ekonomikë, nuk është se i ka gjetur vetë. Duket sikur dikush ia ka dhënë me sms që rritja ekonomike duhet të jetë kaq.”
Klima jo e mirë e të bërit biznes në Shqipëri është një tjetër derë e mbyllur sa i përket rritjes ekonomike.
Pano Soko, ekspert ekonomie: “Duhen ndërtuar institucionet që është kryesorja. Duhet filluar e luftuar vërtet korrupsioni, sepse po na çon në gropë. Ky korrupsion, i cili përmendet shumë nëpër raportet ndërkombëtare, po na çon në gropë, po na çon ekonominë në gropë. Pra, investitorët nuk të vijnë, shqiptarët nuk marrin kredi, nuk nisin biznese vetëm se kanë frikën e korrupsionit. Të kemi rritje siç patëm në 2018-ën që ra shumë shi! Pati KESH-i të ardhura dhe meqë pati KESH-i të ardhura ne patëm rritje ekonomike, ky është një budallallëk e parë nga pikëpamja e të shpërndarjes, sepse KESH-i mund të krijojë të ardhura, por kjo s’do të thotë se shqiptarët u bënë më të pasur.”
Soko sugjeron dy sektorët për të cilët qeveria duhet të investojë për të garantuar rritjen ekonomike.
Pano Soko, ekspert ekonomie: “Duhet hedhur një sy drejt arsimit dhe shëndetësisë dhe kjo nuk po bëhet. Dhe ky është problemi kryesor, të cilin ne për 30 vjet nuk kemi arritur ta kuptojmë. Ky vend bëhet kur ne arrijmë t’u japim vlerën e duhur sektorëve të duhur, kur ne të kuptojmë që ky vend nuk bëhet pa arsim. Çdo vend bëhet pasi ka zhvilluar arsimin. Një shqoëri zhvillohet pasi ka zhvilluar arsimin. Dhe natyrisht shëndetësia, një shoqëri e shëndetshme, kushte të shëndetshme, të cilët më pas do të zhvillojnë shoqërinë
Rritja ekonomike është diçka për të cilën as institucionet ndërkombëtare nuk janë optimiste, ndërsa theksi është vënë tek funksioni i institucioneve të drejtësisë, për të rikthyer besimin tek investitorët.



