Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bedri Çollaku ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit me Covid-19.
Çollaku prej javësh ishte shtruar në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm, por nuk ka mundur ta fitojë betejën me koronavirusin.
Bedri Çollaku është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në 1995-ën si përfaqësues i PD-së në qarkun e Tiranës.
Lajmin për ndarjen nga jeta të Çollakut e ka dhënën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.
Njoftimi i Guvernatorit të Shqipërisë Gent Sejko:
Mesazh nga Guvernatori Sejko
Me hidhërim të thellë u njoftova për largimin e parakohshëm nga jeta të z. Bedri Çollaku. Me një karrierë të spikatur e mbi 40-vjeçare në fushat e bankingut qendror e tregtar, z. Çollaku do të kujtohet si një ndër ekspertët që ka kontribuar në hedhjen e themeleve të mbikëqyrjes bankare shqiptare, sektor të cilin e drejtoi gjatë viteve të para të krijimit të tij, në fillim të viteve ‘90.
Çollaku ishte drejtues i një ndër bankave tregtare të vendit. I nderuar me çmime të shumta për punën e tij si ekspert i sistemit bankar, interesat dhe përvoja e spikatur e z. Çollaku u pasqyruan edhe në rolin menaxherial që kreu me energji e ndershmëri deri në fund të jetës.
I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes e miqve. Kjo është një ditë e trishtë për sistemin bankar të vendit.



