Vendosja me detyrim e pajisjeve POS në biznese ka rikthyer debatin mbi kostot e pagesave elektronike dhe ndikimin që ato mund të kenë te konsumatorët. Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se, nëse nuk ndërhyhet për të ulur tarifat bankare, bizneset mund të detyrohen të reflektojnë kostot shtesë në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Eksperti i ekonomisë, Rildo Ngjela, theksoi se përdorimi i pagesave elektronike është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, duke dëshmuar një ndryshim të qartë në sjelljen e konsumatorëve dhe bizneseve.
Unë fillimisht doja të bëja një panoramë të përgjithshme që ta filloja nga përdorimi i POS-it, i cili është rritur jashtëzakonisht shumë në 10 vitet e fundit.
Numri i transaksioneve ka shkuar në 27 milionë, me një rritje rreth 15 herë, ndërsa vlera e tyre nga 12 miliardë ka arritur në 115 miliardë. Kjo na tregon se qytetarët po e përdorin më shumë kartën dhe bizneset po pranojnë më shumë pagesa elektronike. Por pyetja është nëse është e drejtë që kjo kosto t’i transferohet automatikisht konsumatorit final.
Nëse analizojmë tarifat që aplikohen në Shqipëri, rezulton se kemi kosto më të larta jo vetëm se vendet e rajonit, por edhe krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, megjithëse në letër jemi pjesë e SEPA-s.
Sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron te pranimi i kartave nga bizneset, por te kostot që këto pagesa u shkaktojnë sipërmarrjeve.
Për Shqipërinë nuk është çështja nëse biznesi e pranon kartën apo jo, por sa i kushton biznesit pagesa me kartë. Kjo është një formë diskriminimi ndaj biznesit. Kosova, edhe pse nuk është pjesë e SEPA-s, aplikon tarifa tavan të përcaktuara nga Banka Qendrore.
Ndërsa në Shqipëri pagesat online shkojnë deri në 3.5 për qind dhe Banka e Shqipërisë ia ka lënë në dorë biznesit negocimin me bankat, pa vendosur një kufi maksimal.
Nëse llogarisim tarifat minimale, klienti paguan rreth 1.3 për qind dhe biznesi të paktën 2.5 për qind, që do të thotë se afro 4 për qind e çdo transaksioni përfundon si fitim për bankat. Në mënyrë selektive po fitojnë bankat në kurriz të biznesit dhe konsumatorit, sepse jemi ne që paguajmë çdo ditë përmes blerjeve tona.
Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Pano Soko e konsideron të domosdoshëm zgjerimin e pagesave elektronike, por kërkon që procesi të mos shoqërohet me kosto shtesë për qytetarët.
Prezantimi i POS-eve në vetvete nuk është diçka e keqe. Ka shumë njerëz që nuk mbajnë para cash me vete dhe trendi global është që pagesat elektronike të zëvendësojnë gjithnjë e më shumë paranë fizike. Problemi që unë kam është mënyra se si po prezantohet kjo politikë. Nuk duhet ta kthejmë këtë proces në një mundësi përfitimi për disa biznese private, ndërkohë që koston e paguajnë qytetarët.
Ai argumenton se përpara se të ndërmerrej ky hap, shteti duhej të kishte negociuar me sektorin bankar për të ulur tarifat e transaksioneve.
Përpara se ta ndërmerrnim këtë hap, shteti duhet të ulej me bankat dhe t’u thoshte se kjo politikë do t’ju sjellë më shumë të ardhura pa kosto shtesë nga ana juaj, ndaj përfitimet duhet të ndahen.
Transaksioni ka një kosto, por impakti te konsumatori duhet të jetë sa më i vogël. Në momentin që je i bindur se do ta ndërmarrësh këtë akt, duhet të sigurohesh që qytetari të mos e ndjejë barrën financiare. Bankat nuk duhet të jenë përfitueset kryesore të një politike që po mbështetet nga shteti.
Soko paralajmëroi gjithashtu se shumë biznese mund të pajisen me POS vetëm për të respektuar detyrimin ligjor, por pa e promovuar realisht përdorimin e tyre.
Ata do t’i marrin POS-et, por nuk do t’i përdorin sepse e dinë që fitimi shkon te banka. Shqipëria ka nevojë për zgjerimin e pagesave dixhitale dhe reduktimin e përdorimit të parasë cash, por jo duke ndjekur këtë rrugë. Nëse nuk adresohet çështja e tarifave, rrezikojmë që e gjithë kjo reformë të mbetet thjesht formale.



