
Ka nisur fluksi i emigrantëve në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, pasi shumë shtetas shqiptarë po kthehen në atdhe për të festuar Pashkët pranë familjarëve.
Korrespondentja nga Korça, Elsa Xhindole, raportoi për “MCN Live” se vetëm gjatë ditës së djeshme kanë hyrë në Shqipëri mbi 7 mijë e 400 shtetas teksa pala greke po punon me sportele të reduktuara duek shkaktuar radhë të gjata pritjeje.
Fluksi është përqendruar kryesisht në hyrje, ndërsa në dalje janë regjistruar rreth 2 mijë e 200 shtetas.
Sipas autoriteteve shqiptare, janë marrë masa për përballimin e situatës, duke shtuar numrin e sporteleve në funksion. Aktualisht, në hyrje operojnë 5 sportele, ndërsa në dalje 1, çka ka ndihmuar në shmangien e radhëve të gjata në territorin shqiptar.
Ndryshe paraqitet situata në palën greke, ku, sipas udhëtarëve, sportelet punojnë të reduktuara, duke shkaktuar pritje që shkojnë deri në 1 orë e 30 minuta.
Vetëm gjatë ditës së djeshme në Kapshtinë kanë hyrë në Shqipëri mbi 7 mijë e 400 shtetas ndërsa në dalje janë regjistruar rreth 2 mijë e 200 shtetas.
Fluks i shtuar është regjistruar edhe në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë mbi 3 mijë shtetas.
Udhëtarët shprehen të shqetësuar për vonesat, duke theksuar se kjo situatë përsëritet shpesh gjatë periudhave festive, pavarësisht distancave të gjata që përshkojnë për të mbërritur pranë familjeve të tyre.
Autoritetet bëjnë me dije se fluksi pritet të rritet edhe në ditët në vijim, ndërsa po vijon monitorimi i situatës në të dyja anët e kufirit.



