
Kreu SPAK, Altin Dumani ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvend për punën e bërë nga institucioni që ai drejtoi në vitin e kaluar. Dumani ka dhënë shifra për punën e deritanishme ndërkohë që ka thënë se hetime dhe vendime të rëndësishme janë marrë për dënimin e zyrtarëve të lartë apo edhe luftën kundër korrupsionit.
Dumani në prezantimin e raportit vjetor tha se me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar gjatë vitit 2022, janë dhënë 4 vendime për 4 persona të dënuar për ish zyrtarë të nivelit të lartë.
Gjatë dy viteve, konkretisht 2020-2022, rezulton se në total nga Prokuroria e Posaçme janë hetuar gjithsej 24 procedime penale me 25 persona në hetim, ku përfshihen ish-zyrtarë të nivelit të lartë, mes të cilëve politikanë, ish-gjyqtarë dhe kryetar bashkie.
Ndër këto janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim: 8 procedime penale me 8 të pandehur (ish-Gjyqtar); 3 procedime penale me 3 të pandehur (ish-Prokuror); 1 procedim penal me 2 të pandehur (ish-Deputet); 1 procedim penal me 1 të pandehur (ish-zv.Ministër); 1 procedim penal me 1 të pandehur (anëtare KPK); 4 procedime penale me 4 të pandehur (ish-Kryetar Bashkie).
Janë regjistruar 28 procedime penale me 34 persona në hetim, me një rritje nga viti i kaluar, ku janë regjistruar 18 procedime penale me 9 persona në hetim. Në lidhje me përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit, përveç përgjimeve telefonike, po aplikohen në masë të konsiderueshme, të gjitha mjetet për një çështje apo çështje të ndryshme, si vëzhgime, simulime, dorëzim i kontrolluar, letërporosi, si edhe për herë të parë, agjentë të infiltruar.
Në vitin 2022, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 69 procedime penale, ku janë interceptuar 1023 pajisje fundore. Një e dhënë e rëndësishme, është rritur gama e databazave shtetërore ku SPAK ka akses të drejtpërdrejtë.
Në lidhje me rekomandimin mbi fokusimin në hetime më shumë në çështjet e korrupsionit të nivelit të zyrtarëve të lartë, nënvizojmë se me kërkesë të SPAK nga Gjykata e Posaçme gjatë vitit 2022, janë dhënë 4 vendimi dënimi, me 4 persona të dënuar, për ish-zyrtarë të nivelit të lartë. Ndërkohë, në periudhën 2022-2022, rezulton se në total, në SPAK janë hetuar 24 procedime penale me 25 persona në hetim, ndaj ish-zyrtarëve të lartë.



