
Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ministrave të kabinetit qeveritar të nisin menjëherë një proces largimi për të gjithë drejtuesit e institucioneve në varësi të tyre, duke u kërkuar atyre dorëheqjen e parevokueshme.
Ky udhëzim raportohet se u është komunikuar ministrave përmes telefonit nga Budva e Malit të Zi, ku kreu i qeverisë ndodhet për Samitin e Procesit të Berlinit.
Sipas këtij urdhri, ministrat duhet të mbledhin urgjentisht drejtuesit e institucioneve që mbulojnë dhe t'u kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme.
Sipas raportimeve në media, ky proces pritet të shtrihet gjerësisht, duke prekur jo vetëm drejtorët e përgjithshëm në kryeqytet, por edhe drejtuesit rajonalë nëpër qarqe (përfshirë Doganat, Tatimet, Kadastrën, AKU-n, etj.).
Ky zhvillim i bujshëm vjen në një kohë kur kryeqyteti po përballet me ditë të njëpasnjëshme protestash të dhunshme të udhëhequra nga studentët dhe qytetarët, të cilët kërkojnë dorëheqjen e vetë kryeministrit nën akuza për korrupsion institucional.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar por një javë më parë, Rama kishte kritikuar ashpër performancën e administratës publike, duke paralajmëruar masa ndaj kujtdo që shkel afatet ligjore për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.



