Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, po zhvillojnë sot një dëgjesë me artistët për çështjen e Teatrit Kombëtar.
Artistët u shprehën kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, një lëvizje që e shohin si cenim të identitetit kombëtar. Në lidhje me ndryshimet në ligj që do t’i hapin dritën jeshile prishjes së teatrit, aktor Alert Çeloaliaj tha se ato duhet të kenë karakter të përgjithshëm.
“Nuk ka vend për diskutim pas për artistët as për grupet e interesit. Godina goditet për mungesë vlerash, ndërkohë që ne e kemi bërë me dije dhe e kemi thënë se po e njëjta tipologji është shpallur trashëgimi botërore nga UNESCO në Eritrea.
Qëllimisht po lihet jashtë gjendja e teatrit kombëtar eksperimental. Duhet bërë diferenca. Kjo vjen për mungesës së ndërhyrjes në këtë godinë në 27 vite.
Ne kemi luftuar kundër dhe do të vijojmë të luftojmë kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Janë bërë zgjedhje të gabuara të investimeve. Ligji për prishjen e teatrit kombëtar duhet të ketë formë të përgjithshme”, tha ai.
Aktori i mirënjohur, Robert Ndrenika, tha se teatri mund të ruhet duke u riparuar me një kosto shumë më të vogël.
"Unë kam vuajtur nga partneriteti publik privat, sepse e dhashë shtëpinë te një i tillë dhe vuajta 3 vjet gjyqeve. Edhe ky kompleksi ynë me të dyja godinat mund të riparohet dhe të dalë një gjë e shkëlqyer edhe jo me 30 milionë euro. Zoti Erion kam përshtypjen që të kanë gënjyer me atë 30 milion euroshin. Mendoj dhe e kam pjekur këtë mendim gjatë kësaj kohe. Gjithë ai kompleksi i teatrit është një gjë që mund të ruhet. Mendoj që Tirana e do një teatër të mirë, të ri. E merion Tirana. Mendoj që të bëhet një lloj studimi i këtij kompleksi. Zoti kryetar, aeroporti i Rinasit është me hekur dhe xhamllëk. Mund të bëhet një gjë e tillë. Në këtë varfëri që paska shteti shqiptar, që rrugën dhe tunelin e ka paguar katër herë, shkon më mirë propozimi që bëra unë, që të bëhet një kompleks i tërë", tha Ndrenika.
Aktori Arben Derhemi tha se Teatri Kombëtar nuk duhet të cenohet.
"Ai është vend i shenjtë, është Jeruzalemi ynë. Ai nuk cenohet. Tiranasit duhet të kenë një identitet në qytetin e tyre. Bashkë ne duhet të flasim për qytetin e Tiranës dhe të mos harrojmë që kullat 40 katëshe janë mungesë vizioni", tha ai.



