
Po mbahet në Gjykatën Kushtetuese seanca për çështjen e pezullimit nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, ku Këshilli i Ministrave po përballet me dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
GJKKO nuk merr pjesë në seancë pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.
Përfaqësuesja e qeverisë në fjalën e mbajtur theksoi se GJKKO nuk mund të pezullojë një degë të ekzekutivit dhe të vendosë masë sigurimi të njëanshme pa autorizimin e Kuvendit.
“GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra ka pezulluar jo vetëm vendimmarrjen e ministrit në ministrinë përkatëse por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë, sepse tashmë ministri i pezulluar s’mund të propozojë asnjë projekt-akt në Këshillin e Ministrave. SPAK pretendon që projekt-aktet që s’i propozon dot më ministri, tashmë mund t’i propozojë kryeministri.
Ky argument nuk qëndron pasi kryeministri mund të propozojë vetëm akte që s’i përkasin fushës së asnjë ministri tjetër dhe i janë dhënë atij si detyra të posacme. Pezullimi e detyron kryeministrin të propozojë shkarkimin e ministrit, kështu që s’mund të mohohet që masa e sigurimit sjell pasoja. Në lidhje me themelin e kërkesës vlerësojmë se GJKKO dhe asnjë gjykatë tjetër nuk lejohen nga Kushtetuta që ta vendosin Këshillin e Ministrave dhe Kryeministrin në situatën e përshkruar. Pushteti gjyqësor nuk mund të shkaktojë pezullimin e një dege të ekzekutivit. Nuk mund të vendoset masa e sigurimit e njëanshme pa marrë autorizimin e Kuvendit.
Kushtetuta s’ia ka dhënë gjykatës së juridiksionit të zakonshëm kompetencën për të vendosur pezullimin, por organin që emëron në detyrë funksionarin, apo organin ku ai është anëtar. GJKKO ka kompetenca të kufizuara për të dhënë masa sigurie që ndikojnë mbi mandatin e tij. Nëse funksioni që ushtron individi që po procedohet penalisht është kushtetues, asnjë akt i njëanshëm i pushtetit gjyqësor s’mund ta cenojë ushtrimin e detyrës së tij, për sa kohë individi s’është gjykuar me vendim të formës së prerë”.
Përfaqësuesja e Kuvendit tha se “vendimi i GJKKO për të pezulluar një anëtar të Këshillit të Ministrave, pa u mbështetur në asnjë dispozitë kushtetuese krijon një situatë ku pushteti gjyqësor ndërhyn në pushtetin ekzekutiv. Po ashtu theksohet se vendimi cenon parimin e ndarjes dhe balancimin e pushteteve”.
“Këshilli i Ministrave funksionon si organ kolegjial dhe pezullimi i një anëtari krijon një bllokadë institucionale. Vendimi i GJKKO de facto barazohet me shkarkimin e një ministre, duke mos mundësuar ushtrimin e detyrave”, shprehet ajo.



