
Koreja e Veriut ka miratuar një ligj të ri me anë të së cilit e deklaron veten shtet me armë bërthamore, një veprim që lideri Kim Jong Un thotë se është “i pakthyeshëm”.
Kim u zotua se vendi nuk do të heqë dorë kurrë nga armët bërthamore dhe shtoi se nuk mund të ketë negociata për denuklearizimin pasi përshëndeti miratimin e ligjit, njoftuan mediat shtetërore të Koresë së Veriut të premten.
Ligji i ri parashikon gjithashtu të drejtën e Phenianit për të përdorur sulme parandaluese bërthamore për të mbrojtur veten, duke përditësuar një qëndrim të mëparshëm sipas të cilit ai kishte thënë se do t’i mbante armët e tij vetëm derisa vendet e tjera të denuklearizohen dhe nuk do t’i përdorte ato në mënyrë parandaluese kundër shteteve jo-bërthamore.
“Armët bërthamore përfaqësojnë dinjitetin, trupin dhe fuqinë absolute të shtetit”, tha Kim ndërsa përshëndeti vendimin e parlamentit të vendit për të miratuar ligjin e ri me votim unanim.
Miratimi i ligjeve dhe rregulloreve në lidhje me politikën kombëtare të forcës bërthamore është një ngjarje e jashtëzakonshme pasi është deklarata jonë se kemi fituar ligjërisht parandalimin e luftës si një mjet për mbrojtjen kombëtare.
Për sa kohë që armët bërthamore ekzistojnë në Tokë, dhe imperializmi dhe manovrat anti-koreane të SHBA-së dhe ndjekësve të saj vijojnë, rruga jonë për të forcuar forcën tonë bërthamore nuk do të përfundojë kurrë.
Ligji i ri ndalon gjithashtu ndarjen e teknologjisë bërthamore me vendet e tjera.
Ky ligj vjen mes të tensioneve rajonale në rritje lidhur me zgjerimin e programit të armëve bërthamore dhe raketave nga Koreja e Veriut, raporton CNN.
Kim ka bërë kërcënime gjithnjë e më provokuese të konfliktit bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj në Azi gjatë muajve të fundit.
SHBA është shprehur gjithnjë e më e shqetësuar se Koreja e Veriut mund të përgatitet të kryejë testin e saj të parë bërthamor të nëndheshëm në vite.



