
Polonia raportoi këtë javë për shkelje të hapësirës së saj ajrore nga dy helikopterë bjellorusë. Vendi i NATO-s ka ngritur edhe më herët alarmin se një sulm hibrid mund të ndërmerret nga trupat Wagner që janë stacionuar në Bjellorusi. Autoritetet në Varshavë njoftuan se do dërgojnë trupa shtesë dhe pajisje ushtarake në kufirin lindor. Ndërkohë, Bjellorusia e hodhi poshtë këtë akuzë. “Akuzat për një shkelje të kufirit polak nga helikopterët e Forcave Ajrore Bjelloruse janë të pamenduara dhe të bëra nga udhëheqja ushtarake dhe politike polake për të justifikuar grumbullimin e forcave dhe mjeteve në kufirin me Bjellorusinë.”, tha presidenca bjelloruse. Disa banorë polakë në zonën kufitare raportuan se kishin parë helikopterë gjatë ditës dhe postuan foto dhe video në mediat sociale. Por Minku deklaroi se Varshava është njoftuar për stërvitjen ushtarake në atë zonë. Polonia, Lituania dhe Letonia, në krahun lindor të NATO-s, kanë shprehur shqetësim të shtuar në lidhje me një kërcënim të mundshëm nga aleati rus Bjellorusia, ku ndodhet një kontingjent i konsiderueshëm i grupit mercenar Wagner.



