Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita tha në një konferencë për mediat nga Vlora se Edvin Ndreu është vendosur drejtor i komanduar i Policisë së Vlorës.
Hita tha se policia u shfaq e fjetur dhe joprofesionale.
Sot prezantova drejtorin e komanduar, Edvin Ndreun, i cili do të ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës. Drejtori i Policisë së Vlorës u shkarkua dy ditë më parë, për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj në Zvërnec por edhe për informacionin e pavërtetë që u përçua publikisht për një qytetar që u mor dhe u dhunua publikisht nga rojet e sigurisë private në kantier. I kërkoj Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë që të jetë sa më e hapur dhe sa më profesionale në shërbim të qytetarëve dhe të mos përfaqësohet para publikut me dobësinë e papranueshme të tre ditëve më parë në Zvërnec, ku policia u shfaq e fjetur dhe jo profesionale për të parandaluar marrjen me forcë të qytetarit apo duke mos identifikuar dhe arrestuar në kohë punonjësin që goditi qytetarin. Ajo trupë na turpëron të gjithëve.



