Parlamenti Evropian ndaloi të premten lobistët e Huawei që të hyjnë në ambientet e tij, pas akuzave për ryshfet të lidhura me aktivitetet lobuese të gjigantit të teknologjisë kineze në Bruksel.
“Parlamenti vendosi, si masë paraprake, të pezullojë hyrjen në Parlament të përfaqësuesve të bashkuar me kompaninë Huawei me efekt të menjëhershëm”, tha një zëdhënës i Parlamentit.
Ndalimi është i përkohshëm dhe do të jetë në fuqi të paktën derisa autoritetet të përfundojnë hetimin e tyre, tha një zyrtar i parlamentit për Politico.
Firma është në qendër të një skandali të ri korrupsioni që përfshin akuza paraprake për “korrupsion aktiv, falsifikim dokumentesh, pastrim parash” në Parlamentin Evropian, thanë të enjten prokurorët federalë belgë.
Huawei kishte nëntë persona të regjistruar për të hyrë në ambientet e PE kur përditësoi për herë të fundit regjistrimin e saj në Regjistrin e Transparencës në muajin tetor.
Ndalimi do të prekë lobistët e Huawei të regjistruar për të hyrë në ambientet e Parlamentit.
Ai zbatohet për të gjitha ambientet në Bruksel, Strasburg, Luksemburg dhe nëpër zyrat ndërlidhëse që institucioni mban në vendet e Bashkimit Europian.
Policia mbylli të enjten dy zyra që i përkisnin asistentëve të parlamentit. Autoritetet kanë kontrolluar 21 adresa në Bruksel, Flanders, Wallonia dhe Portugali dhe disa persona janë arrestuar, thanë prokurorët.



