
Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës Iryna Venediktova ka bërë thirrje për një “model të ri” të përpjekjeve hetimore për të trajtuar dyshimet për krime lufte në Ukrainë.
Duke folur në një konferencë për media, Venediktova falënderoi 39 vende që thuhet se iu bashkuan apelit të Ukrainës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Rusisë.
Venediktova bëri thirrje gjithashtu që të krijohet një gjykatë speciale për krizën e paprecedentë në Ukrainë.
E Drejta Ndërkombëtare Humanitare, e Drejta Ndërkombëtare Publike, të gjitha institucionet e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore si parandaluese, nuk janë në gjendje t'i trajtojnë çështjet. Prandaj, ne kemi nevojë për modele të reja, mekanizma të rinj. Ne po kërkojmë nga partnerët tanë modele të përbashkëta investigative, sepse ato aktualë fatkeqësisht nuk funksionojnë
Venediktova njoftoi se zyra e saj kishte nisur tashmë hetimet penale për “shkeljen e integritetit territorial dhe paprekshmërinë e Ukrainës dhe zhvillimin e një lufte agresive” dhe lëshoi paralajmërime për 40 individë që janë pjesë e elitës politike të Rusisë.
Prokurorja e përgjithshme tha se zyra e saj gjithashtu “ndërmori veprime kundër atyre që nxitën luftën dhe provokuan mizori të mëtejshme në territorin ukrainas”.



