
Në një prononcim për media pas takimit me kryeministrin Kurti, Miroslav Lajçak tha se marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet.
Lajçak u shpreh se diskutimet me kryeministrin e Kosovës u përqendruan te projekti franko-gjerman.
I pyetur për kushtet e vendosura nga Kurti për themelimin e Asociacionit, ai ka thënë se BE-ja ka qëndrim lidhur me këtë porse nuk mund ta shpalosë aktualisht. Lajçak shtoi se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen.
Kryeministri Kurti njoftoi ambasadorët dhe diplomatët e vendeve të huaja për gjashtë kushtet që lidhen me themelimin e Asociacionit të komunave serbe. Mësohet se kryeministri i Kosovës ka shprehur gatishmëri për takimet e radhës në Bruksel.



