
Llampat halogjene janë të ndaluara në Bashkimin Europian që prej datës 1 shtator. I propozuar fillimisht në vitin 2009, ndalimi i këtyre llampave ishte vendosur të vihej në zbatim dy vjet më parë, por u shty për këtë vit për t’u dhënë konsumatorëve kohën e nevojshme për të kaluar te llampat LED.
Këto të fundit shihen si më miqësore me mjedisin në krahasim me llampat halogjene, pasi kanë 5-10 herë më shumë jetëgjatësi dhe përdorin më pak energji, çka i bën më ekonomike.
Një studim i kryer në vitin 2013 nga BE-ja nxori se kalimi nga llampat halogjene te ato LED, do t’i kursente një konsumatori 115 euro në vit.
I njëjti studim arriti në përfundimin se vënia në zbatim e këtij ndalimi do t’i kursente BE-së energji sa sasia që konsumon Portugalia në 5 vjet. Po ashtu, ky ndërrim do të thotë reduktim me 3.4 milionë tonë i sasisë së karbonit të çliruar çdo vit.
Duke qenë më jetëgjata, llampat LED do të ulin sasinë e mbeturinave, pasi do të përdoren më pak në numër. Po ashtu, llampat LED janë të riciklueshme.
Përveç BE-së, edhe Australia ka njoftuar se do t’i nxjerrë nga përdorimi llampat halogjene deri në vitin 2020.



