
Gjatë një operacioni të policisë është shkatërruar një grup kriminal që kryente vjedhje me dhunë në Tiranë por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Sipas informacioneve të bluve të kryeqytetit, në shënjestër të tyre ishin kasafortat e bizneseve të ndryshme.
Arrestimi erdhi pas një pune disa mujore me metoda speciale hetimi nga Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në D.V.P.Tiranë në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor.
Në pranga kanë përfunduar 5 shtetas, te gjithe te denuar me pare per vjedhje me armë, ndërsa janë sekuestruar automjete, armë zjarri, lëndë narkotike, veshje, portofolë me stemë policie e pajisje të tjera të përdorura për realizimin e vjedhjeve.
Shtetasit e arrestuar janë:
- Saimir Kuçi, 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje me armë.
- Elton Lika, 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje me armë.
- Valmend Pelivani, 27 vjeç, banues në Tiranë, dënuar më parë për vjedhje.
- Donald Ahmetaj, 28 vjeç, banues në Tiranë i dënuar më parë për vjedhje.
- Engrid Hënaj, 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje.
Nga hetimet e policisë rezulton se "ky grup i strukturuar kriminal, në periudha të ndryshme kohore ka vjedhur me armë kasaforta me vlera monetare të bizneseve të ndryshme, jo vetëm në juridiksionin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, por dhe në qytete të tjera të Shqipërisë".
Për realizimin e këtyre ngjarjeve, këta shtetas lëviznin orët e vona të natës të armatosur, përdornin automjete të vjedhura dhe të marra me qera duke u ndihmuar dhe nga persona të tjerë.
Nga puna hetimore është bërë i mundur dokumentimi ligjor i disa ngjarjeve të ndodhura në kryeqytet, por dhe në qytete të tjera si Durrës, Kavajë, Laç, Lezhë dhe Berat, konkretisht i 11 ngjarjeve.
Materialet do t'i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale të “Vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit e kryer ne bashkëpunim", “Vjedhjes me armë“, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”, “Prodhim dhe shitja e lendeve narkotikëve”, “Mbajtje pa të drejtë e uniformës” dhe "Kanosjes për shkak të detyrës”.



