Zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, thotë se nuk ka çështje “Spiropali” dhe se mazhoranca po funksionon.
Duke folur për “MCN Live” lidhur me dërgimin prej Elisa Spiropalit në Asamblenë e Partisë Socialiste të mocionit për hapjen e partisë, ai u shpreh se çdo gjë do të shihet në momentin kur të shihet dhe dokumenti.
Nuk ka çështje Spiropali, është shprehur se i është drejtuar kryetarit të partisë, Asamblesë, në momentin që do kemi dokumentin në dorë do e shohim. Partia Socialiste po vijon punën për projektin madhor për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe zonja Spiropali ka punuar bashkë me ne që Shqipëria të jetë pjesë e BE.
Për problematikat brenda grupit, grupi është i hapur të shprehë çdo mendim dhe pakënaqësi, ne kemi zotin Braçe apo të tjerë që shprehin pakënaqësi apo ankesa. Ndaj nuk është super lajm nëse paraqit dikush një apo dy kërkesa.
Mazhoranca matet në Kuvend dhe nuk ka lëkundje të votave për të kaluar ligje. Protestat dhe e drejta e fjalës janë të lejuara në një shtet demokratik dhe ne kemi ndryshuar filozofinë e qeverisjes.
Protesta filloi shumë bukur por me kalimin e kohës, doli atje ku dalin protestat politike, dorëheqja e Kryeministrit Rama dhe pika të tjera. Por gjithkush ka të drejtë të protestojë.



