Inxhinieri i IT Erion Demiri foli në MCN Live mbi publikimin e fundit të “Homeland Justice” të dosjeve të Ministrisë së Financave. Sipas Demirit nuk kemi të bëjmë me një hakerim të ri, por me email-e që janë pjesë e hakërrimit të fundit, dhe nuk përmbajnë informacione kritike. Teksa u ndal te investimet, Demiri vuri në dukje se fondet janë fokusuar në ngritjen e sistemeve dhe jo në mbrojtje. Ai shtoi se jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe ato private si bankat, nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur sigurisë kibernetike.
Interesante ishte që javën e shkuar ata s’e bënë publikimin e javës. Vihet re që arshiva që ata kanë bërë share, është krijuar me datë 6, për t’u publikuar ditën e hënë. Shohim që kemi disa mailboxe me Financa.al. Nuk kemi të bëjmë me një hakerim të ri, janë ato të dhëna të funddhjetorit të 2021. Të gjitha të dhënat që janë të institucioneve, që s’janë për publikun, ka një rrezik të mbartur. Por me sa informacion kam email-et s’përmbajnë informacione kritike. Sigurisht dalja në këtë formë nuk tregon diçka serioze, tregon që mbrojtja s’ka qenë si duhet dhe të dhënat janë në duart e grupimeve keqbërëse. Janë të dhëna që mbajnë një datë të funddhjetorit 2021. Nga ana teknike bëhet për të njëjtin hakerim, atë qe e kuptuam në korrik”.
Lidhur me dosjet e publikuara në “Telegram” Demiri tha se:
Bëhet fjalë për 8 adresa email-i, janë 7 giga. Janë komunikime të administratës me njëri-tjetrin për çështje të ndryshme. Të dhënat personale janë tjetër gjë”.
Ai tha se duhet të ishim më të kujdesshëm në koordinim dhe ndërgjegjësim lidhur me sigurinë e informacioneve, duke qenë se shumicën e shërbimeve i kemi kaluar online.
Institucioni Akcesk duhet të jetë në krye të institucioneve. Ky ka pasur një rizgjim, një riorganizim në fund të vitit 2022. Pretendohet që rezultatet e punës do të vijnë. Por në këtë fushë rezultatet janë të vështira të vijnë për një ditë apo një muaj. Jemi në një fushatë agresive sulmi që në dijeninë time s’ka ndodhur në një vend tjetër të botës. Jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe në aktivitetet private, siguria kibernetike, siguria e informacionit, vendoset e fundit. Janë departamente pak të investuara sepse nuk njihet. Duke u lënë e fundit, mund të ndodhin dëme. Fakti që shumicën e shërbimeve i kaluam online, duhet të kishim qenë shumë më të kujdesshëm te pjesa e koordinimit, ndërgjegjësimit edhe të stafit të institucioneve për pjesën e sigurisë së informacioneve”.



