Specialisti i futbollit, Sulejman Starova deklaron se nuk kemi për ta arritur ende atë ditë që të kemi trajner shqiptar. “Për kushtet kur jemi ne është siç ka thënë dikush, ju shqiptarët nuk bëni kurrë hajër në futboll se jeni të gjithë kushërinj me njeri tjetrin. Trajneri duhet të jetë i ditur dhe të menaxhojë presionin e brendshëm që është skuadra, lojëtarët dhe presionin e jashtëm që është tifozi. Një trajner i tillë nuk ka për të ardhur akoma”. Duke folur në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, Starova tha se gëzimi i trajnerit zgjat një orë pas ndeshjes dhe më tej mendohet për kundërshtarin e radhës, lojtarin që nuk ka luajtur dhe se trajneri has vështirësi shumë të mëdha. I pyetur për trajnerin e kombëtares Silvinjo, Starova deklaroi se u shfaq papritmas dhe nuk ka arritur që ta njohë mirë. “Impakti i parë është që trajneri shqiptar duhet të jetoj në Shqipëri, është favor i jashtëzakonshëm që t’i ndjek tre ndeshje në javë, se ke mundësi që të zgjedhësh talentet. Është i pari që vendosi të jetojë këtu, vjen nga mëngjesi deri në darkë, orar pa orar. Ka thjeshtësi, është impulsiv në sensin që i lexohet dëshira për punë. E ka bërë grupin dhe kjo u lexua që në ndeshjen e parë, ndeshja komandohet nga trajneri.”



