
Vetëm pak orë pasi mori detyrën Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela, ka nisur hetimin nga Durrësi në lidhje me tërmetin e 26 nëntorit. Çela tha se përgjegjësia për këtë duhet të shkojë atje ku është, qofshin zyrtarë apo ndërtues, ndërsa shtoi se nga hetimi do dalin edhe probleme me legjislacionin.
Kryeprokurori deklaroi se shumë shpejt rezultatet do të jenë të prekshme.
“Qëllimi i vizitës janë hetimet për tërmetin. Situata është mjaft e qartë. Puna e bërë nga prokurorët është mjaft e mirë. Shumë shpejt do të kemi rezultate të prekshme. Individë të papërgjegjshëm duke vepruar me koshiencë kanë shkelur ligjin dhe pasojat kanë qënë vdekja e shumë personave.
Prokuroria e Durrësit po kryen hetimet. Është krijuar një grup hetimor për çështjen në fjalë. Ne i japim mbështetjen maksimale me qëllim koordinimin dhe të gjitha kushtet për të siguruar një hetim të shpejtë dhe eficent dhe për ti dhënë përgjigje rasteve të cilat jemi të njohur. Jam i kënaqur me atë që dëgjova. Prokurorët janë të motivuar dhe shumë shpejt rezultatet do të jenë të prekshme. Ka njerëz që kanë shkelur ligjin dhe shumë kanë humbur jetën. Përgjegjësia do të shkojë atje ku është, qoftë tek ndërtuesi qoftë tek zyrtari. Nuk do ketë hezitim për asnjë rast."
Prokuroria e Durrësit bënë me dije se Olsian Çela është takuar me katër prokurorët që po hetojnë çështjen e tërmeteve në këtë qytet .



