
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Shkodër. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë në ajër. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të vendit të quajtur “Penda e Zallit të Kirit”, ndërsa plumbi ka depërtuar brenda një banesë.
Burimet bëjnë të ditur se nga hetimet e deritanishme, kjo banesë nuk ka qenë objekt për t’u qëlluar.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po heton rastin në fjalë. Githashtu po hetohet për identifikimin e personit që ka qëlluar me armë, e cila dyshohet të ketë qenë pistoletë.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka asnjë person të lënduar, ndërsa në banesë ka patur familjarë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 14.12.2022, rreth orës 20:00, një shtetas ende i paidentifikuar, duke qarkulluar me automjet, në rrugën “Hilë Mosi”, në lagjen “Skënderbeg”, në ecje e sipër ka qëlluar një herë, me armë zjarri, në ajër.
Si pasojë predha e plumbit ka rënë në dritaren e katit të tretë të banesës së shtetasit P. S., 57 vjeç. Nga rënia e predhës nuk ka mbetur i dëmtuar asnjë person.
Grupi hetimor ka sekuestruar menjëherë pamjet e kamerave të rrugës, në të cilat dallohet drejtuesi i automjetit që ka qëlluar një herë me armë zjarri, në ajër.
Vijojnë veprimet, nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, në të gjitha rrugët, me qëllim bllokimin e automjetit dhe kapjen e autorit.



