
Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvend pritet të dominohet nga katër interpelanca të kërkuara nga opozita, që synojnë të vënë në qendër të debatit çështje të mbrojtjes, arsimit dhe vendimmarrjeve të fundit qeveritare.
Një nga pikat kryesore të rendit të ditës është interpelanca urgjente me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, e kërkuar nga Partia Demokratike. Opozita kërkon sqarime lidhur me krijimin, funksionimin dhe marrëdhëniet kontraktuale të shoqërisë “KAYO”, duke ngritur gjithsej 22 pyetje që prekin rolin e ministrit, përzgjedhjen e partnerëve dhe ndikimin e mundshëm në sigurinë kombëtare.
Po ashtu, demokratët kanë kërkuar interpelancë edhe me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, për problematikat që lidhen me politikat dhe udhëzimet e fundit në sistemin arsimor, veçanërisht për çështjet e licencimit dhe kualifikimit të mësuesve.
Ndërkohë, deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri kanë depozituar kërkesë për interpelancë me kryeministrin Edi Rama, në lidhje me anulimin e tenderit për portin e ri të Durrësit. Megjithatë, pjesëmarrja e kreut të qeverisë mbetet e paqartë, për shkak të një vizite të planifikuar në Itali, ku pritet të takohet me homologen Giorgia Meloni.
Të njëjtët deputetë kanë kërkuar gjithashtu interpelancë me zv.kryeministren Albana Koçiu, për miratimin e lejes së ndërtimit të një resorti në zonën e Rrjollit.
Përveç interpelancave, në rendin e ditës janë përfshirë edhe disa projektligje që lidhen me marrëveshje ndërkombëtare, energjinë, mjedisin dhe ndryshime ligjore, si dhe zgjedhja e kreut të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa debatet politike pritet të jenë në fokusin kryesor të diskutimeve.



