
Policia e Shtetit ka njoftuar sot se është finalizuar operacioni policor i koduar “Pritësi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kalimit të paligjshëm të kufirit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Në kuadër të tij janë arrestuar në flagrancë katër shtetas dhe është proceduar penalisht një tjetër.
Gjithashtu janë sekuestruar viza turistike të dyshuara të falsifikuara.
Të arrestuarit janë: A.H., shtetas gjerman, A.A., 58 vjeç, shtetas palestinez, M. H., 33 vjeç dhe M. K., 46 vjeç, shtetas sirian.
Ata akuzohen për “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave”.
Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja R. F., 37 vjeçe, shtetase siriane, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave”.
Këta shtetas kanë tentuar të kalojnë kufirin duke përdorur viza turistike gjermane të dyshuara të falsifikuara, me anë të ndihmës së shtetasit A. H., në Pikën e Kalimit Kufitar Porti i Durrësit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.



