Eksperti i ekonomisë në PD, Akil Kraja akuzoi Partinë Socialiste se po kërkon të tensionojë fushatën elektorale duke thënë se “janë ata që kanë kriminelët në krahë, kanë firmosur koncesione dhe kërkojnë të mbajnë pushtetin me dhunë”
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, Kraja tha se pas tetë vitesh paralizë, eksod dhe varfëri më në fund ka shpresë për ndryshim dhe kjo sipas tij nuk është më çështje emrash.
Ai shtoi se Lulzim Basha po garon me lista me persona me integritet, ndërkohë që Rama siç u shpreh Kraja duhet të shkëputet nga krimi.
Intervista e ekspertit të ekonomisë së PD Akil Kraja në MCN TV:
Si do jetë fushata e PS / PD në këto zgjedhje? Duket se më shumë se sa te programet, partitë janë fokusuar tek retorika dhe sulmet mes palëve?
Kraja: Besoj që pas tetë vitesh paralizë, eksod dhe varfëri më në fund kemi një shpresë për ndryshim, për një program që sjell përmirësim. Shqiptarët shohin ndryshim dhe nuk është më çështje emrash dhe besoj me 25 prill do të finalizohet duke larguar Edi Ramën, kështu do të ketë më shumë ajër. Ky tetë vjeçar ka qenë i tmerrshëm.
Kemi parë përplasje në Elbasan dhe incidente elektorale në Fier. Kush po përpiqet të tensionojë fushatën?
Kraja: Po e kërkojnë ata që kanë kriminelët në krahë dhe kanë firmosur koncesione dhe kërkojnë të mbajnë pushtetin me dhunë. Shqipëria kërkon drejtësi dhe ekonomi të çliruar nga korrupsioni. Ne nuk duam të largohemi, por të bëjmë Shqipërinë Europiane.
BE kërkoi konsensus në fushatë dhe pranimin e rezultatit. Pse kjo pasiguri se palët mund të mos pranojnë fjalën e popullit?
Kraja: Është një pasiguri e konfirmuar edhe më parë. Basha po garon me lista me persona me integritet. Rama duhet të shkëputet nga krimi dhe ky është leximi që çdo shqiptar lexon. Çdo shqiptar ka kërkuar largimin në këto 8 vite. Boll më me kriminelë në parlament.



