
Aktivistja Flora Xhemani në një lidhje në Skype në “Live MCN” ka folur me nota të trishta për vdekjen akssidentale të alpinistit Ndoc Mulaj, i cili u gjet pa shenja jete një ditë më parë në Munellë të Pukës.
Teksa e ka pasur të vështirë të gjejë fjalët e duhura për mikun e saj, Xhemani është shprehur se Ndoci, ‘djali i maleve’, i ka dhënë një kontribut të madh turizmit të këtij vendi duke hapur me dhjetëra shtigje që sot vizitohen nga turistët.
Kam përshtypjen se është e pamundur të gjesh fjalët e duhura sidomos për Ndocin, që ishte një nga personat më të vlefshëm që ka turizmi shqiptar, sidomos ai i Alpeve. Ai ka dy dekada që kontribuon për Alpet dhe ka bërë aq shumë i vetëm, sa nuk kanë bërë dot dy qeveri të ndryshme të marra së bashku.
Humbja e tij është e madhe për miqtë e tij dhe ata që e kanë njohur. Ka qenë miku i të gjithëve. Ndoc Mulaj ishte ai që i dha jetë komuniteteve të margjinalizuara të Alpeve, ku kishte vite që nuk shkelte askush dhe ka bërë aq shumë për këtë krahinë, saqë njerëzit po shkojnë ta vizitojnë për gjithçka që i përket turizmit të maleve dhe kjo falë punës së Ndocit.
Ai ka hapur dhjetëra shtigje, ai ka bërë i vetëm dhe me vullnetin e tij dhe pas asnjë shpërblim ku shumë organizata nuk i afrohen dot punës së tij. Është një humbje e jashtëzakonshme që do të ndjehet shumë dhe do jetë vështirë të gjendet një i dytë si ai.
Ndërsa e pyetur se çfarë destinacionesh kanë zgjedhur këtë vit shqiptarët për të kaluar ndërrimin e viteve, Xhemani tha se Korça është qyteti më i preferuar nga vizitorët për festat.
Korça mbetet dhe destinacioni më i preferuar nga vizitorët për festat edhe këtë fundvit. Por nuk duhet të harrojmë se falë dhe punës të palodhur të Ndocit dhe miqve të tij që e kanë shoqëruar në këtë aventurë, ai ishte në kulmin e hapjes së shtigjeve e di mirë që një pjesë e mirë e djemve dhe vajzave kanë shkuar në natën e Vitit të Ri në bujtinat e këtyre shtigjeve, ku një pjesë e mirë kanë zgjedhur Thethin, Valbonën dhe kjo ka qenë një nga dëshirat dhe përpjekjet e tij të mëdha. Po ka po ashtu një fluks që kanë zgjedhur Vlorën, Durrësin, në këtë natë të ndërrimit të viteve.



