Sipas kreut të programit të vaksinave të koronavirusit në SHBA, Dr Moncef Slaoui, amerikanët mund të kenë në përdorim vaksinën e koronavirusit që me datë 11 dhjetor.
Moncef Slaoui deklaroi për CNN se plani është që të ‘dergohet vaksina e koronavirusit brenda 24 orëve’ pasi ajo të miratohet. Këto deklarata vijnë pas raportimeve për rritje të rasteve të reja të të prekurve në të gjithë vendin.
Deri më tani, sipas universitetit John Hopkins, SHBA ka regjistruar më shumë se 12 milionë raste dhe mbi 255 mijë vdekje. Këto janë shifrat më të larta që një shtet ka në botë.
Kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe partneri i saj BioNTech paraqitën të premten në urgjencën kombëtare të SHBA kërkesën për autorizimin e vaksinës. Sipas të dhënave ajo është 94% efektive te personat mbi 65 vjeç.
Pfizer shpreson të prodhojë deri në 50 milionë doza në 2020 dhe deri në 1.3 miliardë doza në 2021. Sipas testimeve çdo person ka nevojë për dy doza të vaksinës.
Një komitet këshillimor i vaksinave të Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) është vendosur të takohet më 10 dhjetor për të diskutuar nëse do të autorizojë apo jo vaksinën. Nëse përgjigjja është po, sipas dr Slaoui, ajo mund të jetë për përdorim në popullsinë amerikane më 11 ose maksimumi 12 dhjetor.



