
Kompanive ndërkombëtare që u larguan nga tregjet ruse do t'u jepet një "Çmim i Paqes" nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, njoftoi të dielën zyra e tij presidenciale.
Kompanitë që u larguan "meritojnë respektin e ukrainasve dhe njerëzve në mbarë botën. Në fund të fundit, indiferenca dhe heshtja janë bashkëfajësi," tha Andriy Yermak, kreu i Zyrës së Presidentit.
Yermak u bëri thirrje kompanive të tjera që të "bëjnë zgjedhjen e duhur".
"Është e pamundur të mbështeten krimet e luftës, është e papranueshme të bësh tregti me kriminelët e luftës dhe të fitosh para për vrasjen e civilëve," tha ai.
Që nga pushtimi, shumë korporata ndërkombëtare kanë ndërprerë aktivitetin brenda Rusisë në një mori industrish, duke përfshirë energjinë, transportin, financat dhe teknologjinë.
Në një fjalim në Parlamentin francez javën e kaluar, Zelensky u bëri thirrje disa gjigantëve të biznesit në Francë që të largohen nga tregu rus dhe "të rreshtin së qeni sponsorët e makinerisë ruse të luftës”.



