Prej muajsh emisioni investigativ “Xhadat po ndjek rastin e qytetares Sose Buçpapaj e cila pretendon se është dhunuar nga kancelari i gjykatës së Kuksit Shkëlzen Mulosmani dhe nga kallëzuese dhe viktimë është kthyer në të kallëzuar dhe person nën hetim, për shkak të ndikimit të kancelarit mbi institucionet e drejtësisë.
Qytetarja Sose Buçpapaj në datën 19 janar 2024 është paraqitur pranë Zyrës së Shërbimit Tropojë, e cila ndodhet në ambjentet e ish -gjykatës Tropojë për të tërhequr dosjen e çështjes së saj gjyqësore. Aty sipas saj kancelari i cili ka refuzuar ta pajis me këto dokumenta, e ka dhunuar dhe thyer telefonin. Menjëherë më pas ajo ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Tropojë. Një orë më pas është paraqitur në komisariat dhe kancelari Shkëlzen Mulosmani, i cili ka bërë kallëzim ndaj saj, me pretendimin, se denoncuesja e ka goditur për shkak të detyrës.
Të gjithë të vërtetën do ta zbardhnin kamerat por çuditërisht ato janë vetëfshirë. Në dokumentin e dosjes hetimore thuhet:
“Pamjet filmike të datës 19.01.2024 datë në të cilën ka ndodhur ngjarja për të cilën është bërë kallëzim nga shtetasi Shkëlzen Mulosmani dhe Sose Buçpapaj nuk ishin të ruajtuara por të vetëfshira nga pajisja elektronike”.
Gjatë momentit të ngjarjes kanë qenë prezent tri dëshmitarë, deklaratat e të cilëve janë kontradiktore. Njëra nga punonjëset thotë se pasi erdhi zonja Sose ka mbyllur derën dhe është ngjitur lart, dëshmitarja tjetër thotë që Sosja e ka goditur kancelarin me telefon pasi ai i dha një formular për ta plotësuar, ndërsa dëshmitari tjetër, roja i institucionit, mohon të ketë qenë aty. Nga ana tjetër Sose Buçpapa deklaron se të tre dëshmitarët kanë qenë prezent në momentin e ngjarjes, por janë nën presionin e kancelarit për vendet e punës. Pasi policia në bashkëpunim me Prokurorinë Kukës e kthyen kallëzuesen në të kallëzuar dhe ngritën ndaj saj akuzën “Goditje për shkak të detyrës”, që mund ta çoj atë pas hekurave, prokurorja nuk e thirri asnjëherë qytetaren për ta pyetur apo për ta njohur me aktet e dosjes hetimore, por e çoi çështjen në gjykatë. Pikërisht në gjykatën ku kancelar është shtetasi Shkëlzen Mulosmani. Në datën 18 shtator qytetarja bashkë me avokatin u paraqitën në seancën e parë gjyqësore. Aty qytetarja u njoh për herë të parë me aktet e dosjes. Përveç dokumentit që deklaron vetëfshirjen e pamjeve filmike, ç`ka ngre dyshime të forta mbi fshehjen e së vërtetës, nga dosja që prokuroria ka dërguar në gjykatë del në pah dhe një tjetër skandal.
Ditën e ngjarjes, më 19 janar 2024 oficeri i policisë gjyqësore Klodian Qerimi , i cili ka regjistruar kallëzimin e kancelarit Shkelzën Mulosmani ndaj shtetases Sose Buçpapaj në Komisariatin e Policisë Tropojë, ka nxjerrë vendim për caktimin e ekspertit Avni Boshnjaku dhe kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor për caktimin e dëmtimeve të kancelarit Shkëlzen Mulosmani. Por në dosjen gjyqësore nuk gjendet asnjë akt-ekspertim i kryer në janar, ditën kur ndodhi edhe ngjarja.
Ditën e ngjarjes OPGJ që ka kërkuar akt-eksperimin ka mbajtur një procesverbal të kqyrjes së jashtme të kancelarit Mulosmani në të cilin shkruhet:
“Tek këndi i majtë i ballit në lartësi 4 cm nga vetulla vihet re një skuqje e lehtë e lëkurës me përmasa 1.5 me 2 cm. Nuk vërehet gjë tjetër apo dëmtime të tjera”.
Ndërkohë akt-eksperimi mjeko - ligjor nga mjeku Avni Boshnjaku është bërë katër muaj pas ngjarjes më datë 21 maj 2024. Ky akt -ekspertim është bërë jo duke kqyrur personin, por fotografitë e tij. Dhe nga fotografitë mjeku ka përcaktuar se kancelari ka patur hematomë, skuqje dhe gëvishtje në fytyrë. Demtimet sipas tij janë shkaktuar nga goditja me grushta e sende të forta. Për këtë arsye ai i ka dhënë kancelarit të gjykatës Kukës 9 ditë raport.
Pra OPGj që e ka kqyrur ditën e ngjarjes kancelarin Shkëlzën Mulosmani, deklaronte se ka pas vetëm një skuqje të lehtë në fytyrë dhe asnjë dëmtim tjetër, ndërsa eksperti mjeko - ligjor 4 muaj pas ngjarjes , vetëm duke parë fotografitë e kancelarit ka konstatuar hematomë, skuqje dhe gëvishtje në fytyrë, dëmtime të renda që kërkojnë 9 ditë raport.
I pyetur mbi këtë skandal eksperti mjeko- ligjor i tha gazetarëve të “ Xhadave” se këtë ja ka kërkuar Komisariati i Policisë Tropojë.
“Ok, kam krye ekspertimin 1 dite pasi me eshte vu ne dispozicion materialet me tabele fotografike (shume te pastra , ku dallohen shume mire demtimet ) nga komisariati i policise Tropoje, OPGJ.’’
“Xhadat” do ta ndjekin hap pas hapi këtë rast, i cili duket se po prodhon një skandal në drejtësinë e reformuar shqiptare.



