Deputeti demokrat Ervin Salianji deklaroi se rrëzimi i një regjimi me tipare autokratike, siç ndodhi në Hungari me Viktor Orbán, është i mundur edhe në Shqipëri, nëse opozita arrin të frymëzojë qytetarët dhe të mobilizojë pjesëmarrjen.
Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Salianji solli në vëmendje rastin e Peter Magyar, duke theksuar se pavarësisht kontrollit të mediave, drejtësisë dhe avantazheve elektorale, një opozitë e fortë mund të përmbysë çdo pushtet.
Kur ka opozitë frymëzuese, nuk ka forcë që i bën ballë vullnetit të popullit.
Salianji argumentoi se situata në Shqipëri ka ngjashmëri me atë të Hungarisë, duke përmendur akuzat për kontroll institucional dhe deformim të vullnetit të votës. Megjithatë, sipas tij, problemi kryesor mbetet brenda vetë opozitës.
Ai akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se po pengon rinovimin e Partisë Demokratike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të brendshme.
Nga ana tjetër, gazetari dhe moderatori Ylli Rakipi e sfidoi këtë qasje, duke vënë në dyshim strategjinë e Salianjit për të ndryshuar PD-në nga brenda.
“Ti kërkon t’i marrësh partinë një njeriu që do ta marrë me vete deri në vdekje”, u shpreh Rakipi, duke shtuar se Berisha nuk pranon garë dhe i përgjigjet kritikëve me refuzim të prerë.
Salianji këmbënguli se Partia Demokratike është “pasuri publike” dhe se kërkesa e tij është e thjeshtë: hapja e garës dhe ofrimi i një alternative reale për qytetarët.
Sipas tij, fitorja e mazhorancës lidhet drejtpërdrejt me dobësinë e opozitës. “Rama fiton sepse ka një opozitë të lodhur dhe një lider që përjashton”, deklaroi ai.
Debati u përqendrua edhe te mobilizimi i të rinjve, ku Salianji solli si shembull Hungarinë, duke theksuar se pjesëmarrja e lartë dhe mbështetja e të rinjve ishin vendimtare për ndryshimin politik.



