Apple i ka kërkuar furnitorëve të prodhojnë të paktën 75 milion iPhone të rinj. Një kërkesë kjo pothuajse e njëjtë me atë të viteve 2019 dhe 2018, gjë që tregon se kompania nuk i trembet impaktit negativë të pandemisë me të cilën po përballet bota.
Kështu shkruan Bloomberg, sipas të cilit kompania e Cupertino në tetor do të zbulojë gjithashtu një iPad Air, Apple Watch të ri dhe kufjet e para tradicionale Apple.
Sipas burimeve të cituara, dërgesat në botë të iPhone 12 mund të arrijnë 80 milion në vitin 2020.
Të dhënat e fundit të lëshuara ditët e fundit nga analistët e Gartner dhe që lidhen me tremujorin e dytë konfirmojnë fuqinë e Apple. Nga Prilli deri në Qershor, shitjet globale të smartphone-ve ranë me 20%, ndërsa ato të iPhone-ve ranë me vetëm 0.4%.



