
Ora 8:46 e mëngjesit. Një aeroplan i rrëmbyer u përplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr. 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore, duke krijuar një lëmsh të madh zjarri në ajër.
Kjo është kronika e një dite të vështirë për historinë e njerëzimit, 11 shtatorit të vitit 2001.
Në orën 9:17 minuta, Administrata Federale e Aviacionit urdhëron mbylljen e të gjitha aeroporteve në Neë York. Pak minuta më vonë, mbyllen edhe urat dhe tunelet në qytetin “e dritave”.

Në orën 9:30 Presidenti Bush që ndodhej në Florida, informon popullin amerikan se vendi ka përjetuar një sulm terrorist. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit, ka pezulluar të gjitha fluturimet, hera e parë kjo në historinë amerikane.
Kulla jugore e Qendrës Botërore të Tregtisë shembet, po ashtu Aeroplani i linjës United Airlines numër 93, rrëzohet në shtetin e Pensilvanisë, të njejtin fat do të pësonte edhe aeroplani me numër fluturimi 175, i linjës nga Bostoni për në Los Angeles, rrëzuar me 56 pasagjerë dhe 9 pjesëtarë të ekuipazhit. Më pas u mësua se ky ishte aeroplani që u përplas mbi kullën jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë.

Brenda më pak se dy orësh, Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë evakuohen dhe më pas edhe Banka Botërore dhe ndërtesa e kongresit.
Ndërsa në 10:28 Kulla veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë, rrëzohet! Kullat e famshme binjake të Nju Jorkut,nuk janë më.
Sulmet e 11 Shtatorit u konsideruan një seri sulmesh të kordinuara terroriste, të udhëhequra nga grupimi terrorist Al Kaeda, kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona. Viktimat në kullat binjake ishin 2 752, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.
Gjatë gjithë kohës, grupe të shpëtimit kërkojnë për persona që mund të kenë mbijetuar. Ndërsa në mbrëmje, Presidenti Bush i drejtohet vendit.
"Ne po hetojmë se kush fshihet pas këtyre akteve mizore. Kam urdhëruar të gjitha organet e rendit që të gjejnë personat përgjegjës. Nuk do të bëjmë dallim midis terroristëve që kryen këto akte dhe atyre që i strehojnë ata."
Sipas disa të dhënave, vetëm gjatë dekadës së fundit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shpenzuar rreth 7 trilionë dollarë për mbrojtjen kombëtare, sigurinë e vendit dhe shërbimet e inteligjencës.
Krijimi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe i Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare pas sulmeve të 11 shtatorit, dëshmuan për riorganizimin më të madh të burokracisë federale që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sot, Shtetet e Bashkuara përbëjnë rreth 46 për qind të shpenzimeve ushtarake të të gjithë botës, ndërsa buxheti i inteligjencës është dyfishuar.
Mbi 6 mijë pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë vdekur në Irak dhe Afganistan.
Pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, forcat amerikane kanë vrarë Osama Bin Ladenin. Sadam Huseini dhe regjimi i tij diktatorial tashmë janë histori.
Zinxhiri i ngjarjeve që pasuan tragjedinë, është larg fundit të kënaqshëm.
Në nëntor të vitit 2001, Shtetet e Bashkuara, me sulme të furishme, larguan lëvizjen talibane nga pushteti në Afganistan, të cilët paradoksalisht do të ktheheshin në pushtet 20 vite më pas.
Në vetë Shtetet e Bashkuara, ngushëllimi për sulmin e11 shtatorit përzihet me hidhërimin për koston e luftës globale kundër terrorizmit dhe shpërndarjes së demokracisë.



