Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikon që e mërkura të karakterizohet nga mot relativisht i paqëndrueshëm në të gjithë vendin.
Dita do të nisë me kthjellime, por gjatë orëve të mesditës dhe pasdites pritet shtim gradual i vranësirave. Reshje të dobëta shiu do të shfaqen fillimisht në zonat veriore, ndërsa në mbrëmje vonë ato do të përfshijnë të gjithë territorin.
Në veriperëndim dhe pjesërisht në Ultësirën Perëndimore parashikohen reshje me intensitet mesatar deri të lartë, të shoqëruara me shtrëngata dhe, në intervale të shkurtra, edhe stuhi.
Era do të fryjë nga juglindja dhe jugperëndimi me shpejtësi mesatare deri në 7 m/s, ndërsa në bregdet dhe zonat luginore mund të arrijë deri në 18 m/s. Deti pritet të ketë valëzim 3-4 ballë.



