
Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës nisjen e hetimeve lidhur me një lajm të publikuar në media, sipas të cilit me urdhër të ish-ministrit të Bujqësisë, Niko Peleshi, janë hedhur në treg 4600 litra helm me emrin “Silikon Mix".
"Ju dërgojmë për vlerësim ligjor sipas kompetencës të dhëna të printuara nga mediat audiovizive ku përfshihen dyshime në lidhje me shpërdorimin e detyrës prej shtetasit Niko Peleshi. Konkretisht, nga publikimet e fundit, rezulton se ish-Ministri i Bujqësisë ka lëshuar në kundërshtimn me ligjin urdhrin për zhbllokimin e insekticidit "Silikon-Mix" i cili përdoret në kultivimin e frutave dhe perimeve, me pasoja të dëmshme për shëndetin", thuhet në kërkesën e dërguar të martën organit të akuzës së kryeqytetit.
Kësaj të fundit, Prokuroria e Përgjithshme i kërkon ta trajtojë rastin pa cenuar sekretin hetimor.
Rasti në fjalë i përket vitit 2017 dhe e ka origjinën në një inspektim që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë Durrës në tetor të atij viti, duke bllokuar shitjen e një sasie prej 4600 litra të këtij kimikati.
Pas këtij vendimi, Peleshi, në atë kohë ministër i Bujqësisë lëshoi një urdhër zhbllokimi për insekticidin në fjalë. Pikërisht ky urdhër shihet si akuza si shpërdorim detyre, me pasoja të dëmshme te konsumatorët.
Silikon Mix përdoret në kultivimin e frutave dhe perimeve. Ai hyn në kategorinë e insekticideve, por importohet si pleh për bimët. Fermerët që kultivojnë qershi e përdorin shpesh këtë pesticid për të vrarë insektet pak para vjeljes së frutave.
Ekspertët thonë se pesticidi "Silikon Mix" mund të prekë ADN-në dhe ARN-në, duke u bërë shkak për sëmundje të rënda si kanceri.



