
Vatikani konfirmon se gjatë pasdites së të mërkurës, pati një komunikim midis Papa Françeskut dhe Shenjtërisë së tij Kirill, Patriarkut të Moskës dhe të gjithë Rusisë.
Në takimin virtual, mori pjesë edhe Kardinali Kurt Koch, President i Këshillit Papnor, për Unitetin e Krishterë. Diskutimi mes Papës dhe Patriarkut, u përqendrua në luftën në Ukrainë dhe rolin e të krishterëve për të bërë gjithçka që është e mundur që të mbizotërojë paqja.
Papa Françesku, falenderoi Patriarkun për këtë takim, i motivuar nga dëshira për të treguar, si barinj të popullit të tyre, një rrugë drejt paqes.
Kisha nuk duhet të përdorë gjuhën e politikës, por gjuhën e Jezusit. Ne jemi barinj të të njëjtit Popull të Shenjtë që besojmë në Zot, në Trininë e Shenjtë, në Nënën e Shenjtë: për këtë ne duhet të bashkohemi në përpjekjet për të ndihmuar paqen, për të ndihmuar ata që vuajnë, për të kërkuar rrugë paqeje, për të ndalur zjarrin.
Papa dhe patriarku Kirill, nënvizuan rëndësinë e jashtëzakonshme të procesit të negociatave që po zhvillohen, teksa kreu i Vatikanit tha se “Njerëzit që paguajnë faturën për luftën janë ushtarët rusë dhe janë njerëzit që bombardohen dhe vdesin.
Si pastorë - vazhdoi Papa - ne kemi për detyrë të qëndrojmë pranë dhe të ndihmojmë të gjithë njerëzit që vuajnë nga lufta.
Dikur në kishat tona flitej edhe për luftë të shenjtë apo luftë të drejtë. Sot nuk mund të flasim kështu. Kishat janë të thirrura të kontribuojnë në forcimin e paqes dhe drejtësisë. Luftërat janë gjithmonë të padrejta. Sepse ata që e paguajnë janë njerëzit e Zotit. Zemrat tona nuk mund të mos qajnë, përpara e fëmijëve, grave të vrara, të gjitha viktimave të luftës. Lufta nuk është kurrë rruga e duhur.



