Një nga fshatrat e bregdetit të Himarës, Lukova, në vitin 2018 u bë pjesë e listës së programit “100 fshatrat”
“Xhadat”udhëtoi drejt Lukovës, për të parë nga afër transformimin e tij nga ky projekt, por u përball me mungesën e investimeve dhe largimin e banorëve të saj.
Pamjet filmike nga qendra e fshatit, i ngjanin një fotoje të zbrazët, ku asgjë nuk lëviz.
Banorët, kryesisht pensionistë, shprehen të zhgënyer.
“Asgjë s’ka përfituar Lukova nga ky program. S’ka ndriçim, as rrugë, as kanalizime. Plehrat hidhen kudo, vuajmë për ujë, se vjen vetëm një orë në ditë. S’kemi mbështetje nga shteti, na ikin turistët.
“Agroturizëm nuk ka, as vende punë nuk janë hapur, kanë ikur të gjithë. Një turist këtu mund të vizitojë vetëm detin që ja ka falur natyra Lukovës, asgjë tjeter”- thanë ata.
Drejtori i urbanistikës pranë Bashkisë Himarë, Gentian Stratoberdha pranoi gjendjen në të cilën ndodhet Lukova, por tha se projektet nuk mungojnë:
“Lukovës i mungon sistemimi i ujërave të zeza, furnizimi me ujë, rrugët e brendshme. Këto janë përkthyer në projekte, të cilat janë depozituar pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrisë së Ekonomisë. Do fillojë një fazë e dytë e implementimit në terren. Për zhvillimin ekonomik nuk mund të themi gjëra konkrete, por Bashkia ka përcaktuar zonat me potencial ku mund të investohet në biznese dhe agroturizëm”- tha ai .
Lidhur me efektivitetin e projektit “100 fshatra”, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim nga ku rezulton se ministritë e përfshira në projekt nuk kanë pasur fonde për këtë program.
Në raportin që Fondi Shqiptar i Zhvillimit i ka dorëzuar Ministrisë së Bujqësisë thuhet se në Lukovë është përgatitur koncepti për të ndërhyrë duke rehabilituar bregun, zonën qendrorë të fshatit dhe infrastrukturën publike. Financues do të jetë Banka Gjermane për Zhvillim me fond 2.7miliardë lekë.
Deri tani, ndonëse afati i programit 100 fshatrat ka përfunduar në vitin 2020, rezulton se premtimet për Lukovën kanë mbetur ende në letër.



