
Në paketën e masave të reja që kryeministri britanik Boris Jonson ka firmosur këtë të martë, është edhe vaksinimi i fëmijëve të moshës nga 12-15 vjeç.
Sipas kryeministrit kjo është një nga mënyrat që do të zbus pandeminë dhe shmang nevojën për një bllokim të mundshëm në vjeshtë e dimër.
Të hënën, ekspertët kryesorë mjekësorë të Anglisë, Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut rekomanduan që fëmijëve të moshës 12 deri në 15 vjeç t'u jepet një dozë e vetme e vaksinës Pfizer/BioNTech.
Kërkesa e ekspertëve të shëndetësisë në Britani u pranua dhe sipas Ministrit të Shëndetësisë, Sajid Javid kjo ishte mënyrë e duhur në këtë moment.
“Unë kam pranuar rekomandimin unanim nga Zyrtarët Kryesorë të Mjekësisë në Mbretërinë e Bashkuar për të ofruar vaksinim për fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç. Kjo do të mbrojë të rinjtë nga kapja e COVID-19, do të zvogëlojë transmetimin në shkolla dhe do të ndihmojë në mbajtjen e nxënësve në klasë.
Vaksina për fëmijët 12-15 vjeç është miratuar edhe nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Franca dhe Italia. Vaksina është rënë dakord të injektohet vetëm tek fëmijët e shëndetshëm duke përjashtuar ata me sëmundje kronike dhe patologji të tjera.
Fëmijët fillimisht do të marrin një dozë të vetme vaksine përmes shkollave të tyre. Ende nuk është vendosur nëse do të marrin apo jo një dozë të dytë.
Rastet e viruseve tani janë 10 herë më të larta se një vit më parë, por vaksinat po mbrojnë shumë britanikë nga sëmundje serioze. Dhe pritet që Britani të riktheje një pjesë të masave kufizuese të hequra gjatë verës.



