Serbia këron mbështetjen e aleatit të saj më të madh Rusisë gjatë bisedimeve në Bruksel me Kosovën.
Kjo kërkesë e Beogradit vjen pasi pala kosovare ka kërkuar vazhdimisht që SHBA të përfshihet në dialog me prezencën e tyre gjatë takimeve në Bruksel
Lajmin është konfirmuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ka thënë se ka marrë konfirmimin e homologut të tij Vladimir Putin se pala ruse është e gatshme të inkuadrohet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet me ndërmjetësim të BE-së.
“E kemi arritur një lloj marrëveshje, nëse ka tentime dhe qëllime që të zgjerohet formati i pjesëmarrësve dhe ndërmjetësve ndërmjet serbëve, shqiptarëve, Beogradit dhe Prishtinës, dhe nëse amerikanët do të donin të ishin pjesë e këtij formati. Kemi pyetur, a do të kishim pasur guxim të themi se nga ana jonë do të përfshihej Federata Ruse dhe Putin është përgjigjur pozitivisht”, ka thënë Vuçiç.
Sipas kreut të shtetit serb, kjo është logjike pasi Rusia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur njëanshëm. "Ne vetëm duam një raport të barabartë për këtë. Për këtë s’kemi guxuar të flasim më parë, sepse s'e kemi pasur dritën jeshile të organeve shtetërore ruse. Tani këtë e kemi”, ka shtuar Vuçiç.



