
DASH ka deklaruar se do të ketë pasoja në raportet Kosovë-SHBA për shkak të veprimeve të ndërmarrë nga qeveria Kurti në Veri.
Departamenti i Shtetit ka thënë se veprimet e Kosovës për ta përshkallëzuar situatën në veri minojnë përpjekjet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhet në reagimin e DASH.
DASH po ashtu i bën apel kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe “të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”.
Kujtojmë që 5 oficerë të Policisë së Kosovës mbetën të lënduar si pasojë e dhunës, ndërsa u dëmtuan edhe 4 automjete. Kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin-Potok, kanë mundur të hyjnë në orët e pasdites në godinat komunale, mes trazirave të dhunshme.
U desh ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të larguar barrikadat e vendosura nga serbët para godinave komunale. Qytetarët serb kanë hedhur në drejtim të “bluve” shok bomba, gaz lotsjellës, ndërsa janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.



