Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, thotë se në kushtet e krizës politike, duket se vendi po shkon drejt përplasjes. Në një intervistë për “Orën”, Manjani tha se për herë të parë që nga viti 1991, po hyhet me leva në zgjedhje duke sajuar opozita.
“Vendi tashmë në kuptimin e polarizimit politik po shkon drejt përplasjes dhe kjo është një gjë e padëshiruar dhe është një gjë që ata që po e kurdisin po bëjnë gabim shumë të rëndë. Besoj kriza ka dy anë. Për fat po pranohet që jemi në krizë politike pasi sot ishim në fazën e mohimit. Edhe farsa e regjistrimit të partive dhe listave të kandidatëve në mënyrë të paligjshme. Merreni dhe lexojeni si të doni ligjin. Në orën 12 të natës më 28 prill ka përfunduar afati ligjor. Afate politike ka sa të duash. Nuk na kishte ndodhur deri më sot që pas ‘91-shit të hyjmë në zgjedhje me levat e partisë, të sajojmë parti të krijojmë opozitën. Kjo nuk është normale. Përplasja është e padëshiruar. Unë nuk e di se çfarë duhet të ndodhë më shumë për të kuptuar se vendi po shkon në përplasje”, tha ai.
Manjani akuzon Ramën për arrogancë, ndërsa shton se protesta e PD-së nuk duhet parë me përçmim.
“Kur i fiton zgjedhjet pse duhet të jesh arrogant? Këtë nuk e kam kuptuar asnjëherë. Sa më shpejt të ulesh në tryezë me opozitën, aq më shpejt do të shkohet në zgjedhje. Sa më gjatë, opozita do të radikalizohet. U pa çadra me përçmim, jo kriminelë, jo vettingu. Janë shqiptarë edhe ata nuk janë serbë dhe kjo është e patolerueshme”, tha ai.
Manjani shprehet se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë.
“Zgjedhje pa opozitën nuk ka. Unë nuk mund të them kush ka të drejtë, por jam i bindur dhe mbetem i bindur se arroganca është arsyeja e kësaj krize. Jam i bindur se sistemi politik në Shqipëri është në krizë të thellë prej vitesh. Pa diskutim dashuriçkat e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në kurriz të Kushtetutës së vendit kanë këtë pasojë. E gjithë kjo situatë kërkon zgjidhje. Bota demokratike kërkon zgjedhje dhe pjesëmarrje të të gjitha partive. Pavarësisht nga ndonjë ambasadori/reje, e cila sillet vërdallë këtu për agjenda të tyre. Është detyrë e shtetit shqiptar të realizojë këto zgjedhje”, tha Manjani.



