
Ende mbetet i pazbardhur motivi i vrasjes së Pëllumb Metës nga fëmijët e tij, ndërsa emisioni FactCheck sjell pamjet se si Hysen dhe Amarildo Meta fshehën makinën duke inskenuar një zhdukje të babait të tyre.
Ky automjet që shihni në foto do të përdorej për herë të fundit nga Pëllumb Meta deri në pasditen e 10 shkurt 2023 kur ai u kthye nga puna në shtëpi.
Pak orë më vonë mëngjesin e 11 shkurtit, autovetura e Metës do të ndizej sërish por këtë herë për një skenar kriminal të fshehjes së vrasjes së babait.
Dy djemtë e tij Hyseni dhe Amarildo vendosën të fshehin makinën duke e braktisur atë në zonën me pisha të plazhit sektor Rinia.
Do të ishte kjo prova e parë që policia do të gjente në terren pasi kish nisur më datë 13 shkurt kërkimet për gjetjen e kryefamiljarit Pëllumb Meta.
Djali i tij Hyseni bëri denoncim në polici se babai ishte larguar pa adresë dhe s’ishte kthyer në shtëpi, ndërsa në realitet ai ndodhej i groposur dhe pajetë brenda kasolles së bagëtive të familjes.
Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik ende s’ka një përcaktim final nëse Hyseni, Amarildo apo Hygerta e vrau babanë. Ata janë të dyshuar për vrasje të kryer në bashkëpunim dhe të tre mbahen në qeli.
Mamaja e tyre është e vetmja në liri, ndërsa prokuroria dhe policia e Durrësit po kryejnë hetime intensive.
Nga verifikimi i listës së targave ky automjet Citroen Picaso rezulton në pronësi të të ndjerit Pëllumb Meta, ndërsa ai po ashtu ka edhe një tjetër mjet Volsvagen.
Emisioni FactCheck ka mësuar se për të zbuluar shkakun e vrasjes dhe autorin real, përtej provave që lidhin Hysen Metën me krimin.
Hetuesit do të ripyesin katër anëtarët e familjes së Pëllumb Metës, mes tyre tre fëmijët që ndodhen në paraburgim dhe bashkëshorten e të ndjerit shtetasen Blerina Meta.



