Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis kanë shprehur qëndrimet e tyre të ndryshme sot në lidhje me marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë në vitin 2009.
Gjatë fjalës së saj në forumin e “The Economist”, Bakojanis tha se marrëveshja e arritur në vitin 2009 u prish pas ndërhyrjes së Turqisë dhe përkatësisht presidentit Erdogan, që në atë kohë ishte kryeministër.
“Marrëvershjen unë e kam nënshkruar me Shqipërinë. Sigurisht u mërzita shumë kur dëgjova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk përbën justifikim që 12 vjet më pas të mos kemi një marrëveshje. Na duhet të punojmë fort të gjejmë një marrëveshje me Shqipërinë. Është e rëndësishme për të dyja vendet tona. Për të qenë e ndershme ndërhyrja e vendeve të treta në këto çështje nuk ndihmon Ne e dimë që Turqia ka qenë shumë kundër kësaj marrëveshjeje dhe besoj që marrëdhëniet më të mira të mundshme që mund të kemi. Bie dakord me Ramën për marrëdhëniet greko-turke, po ne jemi shumë. Unë njihem në Greqi si mbështetëse e fortë e dialogut por kjo është e qartë vetëm nëse nuk ka kërcënime për luftë, sepse kërcënimet nuk mund të jenë të pranueshme. Shpresoj që Erdoan të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të mos përshkallëzuar tensionte dhe të ndryshojë retorikën”, tha ajo.
Por kryeministri Rama e kundërshtoi këtë pretendim të ish-ministres.
“Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë vendim për marrëveshjen e detit në vitin 2009. Në atë kohë kurrë nuk e kisha folur me presidentin Erdogan, nuk kishim asnjë marrëdhënie, sepse ne ishim partia e opozitës, dhe vendosëm ta çonim marrëveshjen në gjykatë sepse kishte debat dhe nuk doja që të bëhej politik. Ideja që e kam dëgjuar nga autoritete të larta që kjo është një marrëveshje e cila është ndaluar nga ndërhyrja e Turqisë, është absolutisht e pavërtetë. Mund të them se në asnjë takim nuk kam dëgjuar prej tij që kjo çështje të ketë interes për Turqinë”, tha Rama.



